Debutim pozitiv me ekipin e parë për Anes Abdurahmanin

Minuta të para në ndeshje zyrtare me Shkëndijën për mbrojtësin e majtë 17-vjeçar, i cili la përshtypje shumë pozitive në fitoren 4:1 ndaj Bregallnicës.

Anes Abdurahmani është emri i radhës që vjen nga shkolla e futbollit e Shkëndijës dhe nis të shkruajë historinë e tij me ekipin e parë. Mbrojtësi i majtë 17-vjeçar, i cili prej një periudhe është pjesë e stërvitjeve me skuadrën e parë, të dielën në Shkup regjistroi debutimin e tij zyrtar me kuqezinjtë.

Mungesat e shumta në skuadër, për shkak të lëndimeve dhe pezullimeve, i dhanë trajnerit Artim Pollozhani mundësinë për t’i besuar të riut, i cili e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë. Abdurahmani luajti 77 minuta në krahun e majtë të mbrojtjes dhe tregoi qetësi, saktësi në ndërhyrje dhe pasime, duke lënë përshtypjen e një lojtari me shumë më tepër përvojë sesa një debutues.

Paraqitja e tij mori vlerësim edhe nga trajneri Pollozhani pas ndeshjes, i cili e cilësoi triumfin ndaj Bregallnicës si një “fitore të dyfishtë”, për tre pikët e fituara dhe për faktin se Shkëndija fitoi një tjetër lojtar premtues nga shkolla.

“Më vjen mirë për Gashin (Anes Abdurahmani) që debutoi sot dhe pati për mua një paraqitje jashtëzakonisht të mirë. Mendoj se kemi fituar një çun të ri nga shkolla, te të cilët patjetër se i kemi sytë”, deklaroi pas ndeshjes trajneri Artim Pollozhani.

Për Abdurahmanin, kjo ishte vetëm ndeshja e parë zyrtare me ekipin e parë, por paraqitja e tij është një sinjal i mirë për të ardhmen. Me punë, përkushtim dhe vazhdimësi në këtë ritëm, talenti i rritur në shkollën kuqezi synon të bëhet pjesë e rëndësishme e ekipit të parë.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top