Debutime të suksesshme në Evropë për Pollozhanin dhe përforcimet e reja

Trajneri Artim Pollozhani dhe lojtarët Dimoski, Rafa, Kryeziu dhe Armir Isa regjistruan paraqitjet e para zyrtare me fanellën kuqezi, duke e nisur aventurën me fitore bindëse 5:0 ndaj Europa FC. 

Fitorja bindëse 5:0 ndaj Europa FC në ndeshjen e parë të raundit eliminator të UEFA Conference League shënoi një fillim ideal për trajnerin Artim Pollozhani në stolin e Shkëndijës. Pasi mori drejtimin e skuadrës në fillim të fazës përgatitore verore, Pollozhani regjistroi debutim të suksesshëm në ndeshjen e tij të parë zyrtare, me pesë gola të shënuar dhe portën e paprekur, një start premtues për vazhdimësinë e sezonit.

Ndeshja në Gjibraltar solli edhe debutimet zyrtare të përforcimeve të verës, Bojan Dimoski, Rafael Freitas dhe Almir Kryeziu, si dhe të talentit të ri Armir Isa. Luajti edhe i rikthyeri, Florent Ramadani. 

Mbrojtësi i majtë Bojan Dimoski ishte titullar dhe luajti të gjitha 90 minutat, duke dhënë siguri në repartin defensiv. Mesfushori brazilian Rafael Freitas u aktivizua në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Almir Kryeziu hyri në lojë në minutën e 63-të dhe e kurorëzoi debutimin me një gol, duke lënë menjëherë gjurmë me fanellën kuqezi.

Debutim të veçantë përjetoi edhe 19-vjeçari Armir Isa. Futbollisti i rritur në shkollën e moshave të Shkëndijës, i cili sezonin e kaluar ishte i huazuar te Skopje, këtë verë u rikthye dhe fitoi besimin e stafit teknik për të qenë pjesë e ekipit të parë. Në Gjibraltar ai luajti 45 minutat e para si titullar, duke regjistruar paraqitjen e tij të parë zyrtare me Shkëndijën, dhe atë në një ndeshje të garave evropiane. Minuta pati edhe prurja e fundit, Florent Ramadani. I kthyer në skuadër pas 6 muajve, Ramadani u inkuadrua në lojë në fund të ndeshjes. 

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top