
Skuadra vazhdon punën intensive në Terme Čatež me nga dy seanca stërvitore në ditë, ndërsa tashmë dihen rivalët për katër përballjet kontrolluese për të gjetur ritmin europian.
KF Shkëndija nga e shtuna ka nisur fazën përgatitore në Slloveni, ku skuadra është vendosur në bazën e mirënjohur stërvitore të Terme Čatež. Nën drejtimin e stafit teknik, kuqezinjtë po zhvillojnë dy seanca stërvitore në ditë, duke punuar me intensitet të lartë për të arritur formën optimale për paraqitjen në eliminatoret e UEFA Champions League.
Për të testuar gjendjen fizike dhe tekniko-taktike të skuadrës, janë programuar katër ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të përzgjedhur me kujdes. Seria e dueleve nis të martën, më 17 qershor, kundër skuadrës rumune FC Argeș Pitești në Zreçe, dhe do të vazhdojë me takime ndaj FC Koper, PFC CSKA Sofia dhe NK Olimpija. Vlen të ceket se ndeshja e fundit kontrolluese me Olimpijan mund të mos zhvillohet, sepse kampioni i Sllovenisë është kundërshtar potencial për kuqezinjtë tanë në raundin e parë eliminator të UEFA Champions League. Nëse të martën (17/06/2025) në shortin në Nyon të Zvicrës rezulton se Olimpija do të jetë kundërshtari ynë në Evropë, atëherë ndeshja kontrolluese e paraparë për 28 qershor anulohet dhe për rival do të zgjedhim një tjetër kundërshtar (kemi dy tre opsione).
Stafi teknik pret përgjigje konkrete nga këto teste, të cilat do të ndihmojnë në përgatitjen sa më të mirë për sfidat që na presin në arenën ndërkombëtare.
Ndeshjet kontrolluese:
17.06.2025 – FC Argeș Pitești (Rumani), në Zreçe, ora 17:30
21.06.2025 – FC Koper (Slloveni), në Kodolevo ose Grosuplje, ora 17:30
25.06.2025 – PFC CSKA Sofia (Bullgari), në Terme Čatež, ora 17:30
28.06.2025 – NK Olimpija (Slloveni), në Grosuplje, ora 17:00

