
Shkëndija koleksionon fitoren e tretë rresht, pa gol të pranuar dhe shkon në kuotën e 20 pikëve të tubuara pas 8 xhirove në LPFMV, me efekt prej 6 fitoreve dhe 2 barazime. Pas dy fitoreve minimale 1:0 ndaj Tikveshit dhe Rabotniçkit, sot kuqezinjtë fituan 2:0 Sileksin (golat u shënuan nga Ibraimi 50’ dhe Krasniqi 90’+2), derisa mbrojtësi Klisman Cake pas ndeshjes ka komentuar ecurinë e skuadrës.
“Ishte një ndeshje e vështirë për ne, para duelit e analizuam mirë kundërshtarin. Përsëri ne sot u rikthyem, ajo Shkëndija e vërtetë, po rikthehemi dalë nga dalë në formën tonë më të mirë, po fitojmë. E rëndësishme është që po fitojmë pa pranuar gol edhe sot duke dhënë një mesazh të gjithë Ligës që kur të rikthehemi ne njëqindpërqindshin tonë mos mendojnë se kanë shanse”, thotë Cake, duke vazhduar të flet me bindje se ekipi akoma do të përmirësohet në vazhdimësi.
“Padyshim që po, duke marrë parasysh që edhe fitoret që kemi bërë gjatë kësaj periudhe dhe lodhjen që kishim, por përsëri si ekip i madh kemi arritur të fitojmë. Tani duhet të mendojnë vet rivalët se çfarë mund të bëjmë kur të jemi në njëpërqindshin tonë si ekip”, përfundoi Klisman Cake.

