
Derbi rajonal në kohë titulli për kuqezinjtë tanë dhe luftë për mbijetesë për Besën e Dobërdollit.
Ndeshja:
Besa vs Shkëndija
LPFMV, Xhiroja e 28-të
Stadiumi i Qytetit, Gostivar
E shtunë, 19 prill, ora 16:00
Shkëndija si lider i renditjes me një epërsi prej katër pikësh ndaj ndjekësve dhe me tre fitore radhazi në kampionat pas rikthimit nga pauza ndërkombëtare, të shtunën përballet me Besën në Gostivar me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive. Pas triumfit të fundjavës së kaluar ndaj Voskës, skuadra ka punuar me intensitet për sfidën e radhës, që sjell edhe një motiv shtesë, pas dy ndeshjeve rresht në Tetovë të zhvilluara pa praninë e tifozëve (si rrjedhojë e pezullimit me 5 ndeshje pa publik), ky duel në qytetin fqinj do të jetë mundësi për të rikthyer emocionin e futbollit me spektatorë.
Skuadra
Në aspektin kadrovik, mungesa e vetme është ajo e Mevlan Adilit, i cili do të mbyllë pezullimin prej tre ndeshjesh të shqiptuar pas kartonit të kuq në takimin ndaj Tikveshit.
Kundërshtari
Besa vazhdon betejën për mbijetesë, edhe pse në përbërje ka një ekip cilësor dhe për respekt. Xhiron e fundit u mundën me rezultat të thellë 5:0 nga Sileksi, duke vështirësuar pozitat në renditje. Megjithatë, para asaj disfate, ata patën një formë të mirë me tre fitore në katër ndeshje ndaj ekipeve pretendente si Shkupi, Struga dhe Gostivari, që dëshmon se janë rivalë të paparashikueshëm.
Transmetimi
Ndeshja Besa-Shkëndija do të transmetohet drejtpërdrejt në Shkëndija Channel me fillim nga ora 16:00.

