BASHKIMI 1-3 SHKËNDIJA | LIGA E PARË

Gjysmësezonin vjeshtor e mbyllim me tre pikë në Kumanovë, ku mundim 3:1 Bashkimin. Autogoli i Alimit, Tamba dhe Ademi shënuan golat tonë, derisa Bashkimi barazoi vetëm përkohësisht me Aleksovskin. 

  • Shkëndija fiton 3:1 Bashkimin në Kumanovë në duelin xhiros së 16-të në LPFMV 
  • Armend Alimi me autogol na dha epërsi, derisa vendasit barazuan me Aleksovskin
  • Tamba dhe Ademi shënuan për mbyllje me tre pikë të gjysmësezonit vjeshtor
  • Gjest i bukur i “Ilirëve” që lëshuan vendin e tyre në tribunë për “Ballistët” 

Shkëndija ka përmbyllur ndeshjen e xhiros së 16-të dhe njëkohësisht gjysmësezonin vjeshtor të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, duke u renditur në vendin e tretë me 36 pikë, vetëm 6 pikë larg kreut. Kuqezinjtë mbyllin këtë fazë me një tjetër paraqitje solide në Kumanovë, ndërsa skuadra fokusin tashmë e kthen nga angazhimet në Europë.

Ndeshja e fundit kampionale solli një duel me ritëm të lartë, ku Shkëndija tregoi qartazi forcën ofensive dhe qetësinë në momente kyçe. Të parët në epërsi kaluam në minutën e 4-t pas një krosimi të fortë të Websterit, me ish-kapitenin tonë Armend Alimi që devijoi gabimisht topin në rrjetën e vendasve. Bashkimi u përgjigj shpejt (6’) kur Aleksovski realizoi për 1:1 pas një kundërsulmi të vendasve. Kuqezinjtë mbajtën kontrollin dhe krijuan vazhdimisht rrezikshmëri përmes aksioneve në zonën kundërshtare. Zejnullai, Alhassan dhe R. Ramadani u shfaqën aktivë në metrat e fundit, ndërsa Gaye reagoi në mënyrë fantastike në një moment kritik kur Avornyo u kanos rezikshëm. Epërsia e re erdhi pas një aksioni të nisur nga Qaka, gjuajtjes së bllokuar të Ibraimit dhe reagimit të shpejtë të Tambës (34’), i cili shënoi për 1:2.

Në pjesën e dytë, Shkëndija vazhdoi të kontrollojë lojën. Ademi u ndal nga traversa në një goditje të bukur, ndërsa portieri vendas Jashar bëri pritje vendimtare ndaj Tambës. Megjithatë, presioni kuqezi dha rezultat kur Latifi asistoi mjeshtërisht dhe Ademi (74’) shënoi golin e tretë, duke vulosur triumfin 3:1. 

Me përfundimin e gjysmësezonit vjeshtor, Shkëndija mbetet plotësisht në garë për titullin kampion. Para pushimit dimëror, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe dy ndeshje të rëndësishme evropiane, të enjten ndaj Slovan Bratislavës në Shkup dhe më 18 dhjetor në Qipro ndaj AEK Larnaca.

Ndeshja e radhës

Shkëndija-Slovan Bratislava

Shkup | 11 dhjetor 2025 | 18:45

BASHKIMI-SHKËNDIJA 1:3 (1:2)

Stadiumi “Bashkimi” në Kumanovë

Gjyqtar: Stojançe Stojanov (Shtip)

Golashënues: Aleksovski 6’ (Bashkimi), ndërsa Alimi ag. 4’, Tamba 34’ dhe Ademi 74’ (Shkëndija)

BASHKIMI: Jashar, Panovski, R. Murati (Mislimi 54’), Liçina, Alimi (c), A. Murati (Demiri 46’), Aleksovski, Saiti, Zuka, Avornyo (Sulejmani 79’), Aydogan (Limani 79’).

Trajner: Blazhe Janakievski

SHKËNDIJA: Gaye, Alhassan, Meliqi, Fetai, Webster, Qaka (Krasniqi 68’), R. Ramadani, Tamba (Mazari 83’), Zejnullai (Jakupi 87’), Latifi (F. Ramadani 84’), Ibraimi (c) (Ademi 68’).

Trajner: Jeton Beqiri

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top