
Shkëndija sot në Antalya të Turqisë barazoi 1:1 me FC Oleksandriya nga Ukraina në takimin e parë kontrollues në tokën turke. Zejnullai shënoi golin për kuqezinjtë.
KF Shkëndija e ka mbyllur me barazim 1:1 ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore dimërore që po zhvillohet në Antalia të Turqisë. Kuqezinjtë u përballën me skuadrën ukrainase FC Oleksandriya, në një duel që shërbeu si testi i parë për stafin teknik në këtë cikël përgatitor (praktikisht ishte ndeshja e dytë kontrolluese në këto përgatitje, pasi në Shkup fituam 3:0 AP Brera).
Skuadra e drejtuar nga trajneri Jeton Beqiri zhvilloi një pjesë të parë shumë pozitive, duke dominuar lojën dhe krijuar disa raste të pastra shënimi. Pas disa mundësive të humbura, epërsia erdhi në minutën e 31-të, kur Arbin Zejnullai, i cili mbajti shiritin e kapitenit në pjesën e parë, realizoi për rezultatin 1:0 në favor të Shkëndijës.
Në pjesën e dytë, stafi teknik ndërhyri me shumë ndryshime në formacion, duke u dhënë minuta loje të gjithë futbollistëve të grumbulluar (Ronaldo Webster akoma nuk është bashkuar me ekipin, pasi është i grumbulluar nga kombëtarja e Xhamajkës në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Kampionatit Botëror, përfshirë edhe duelin miqësor ndaj Grenadës.) Edhe pse Shkëndija pati raste të tjera për të thelluar epërsinë, ishte skuadra ukrainase ajo që arriti të barazojë rezultatin, pas një aksioni të ndërtuar mirë në minutën e 49-të, me autor, Jonnatan.
Deri në fund të takimit, të dyja skuadrat krijuan raste për gol, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe ndeshja u mbyll me barazim 1:1.
Në përgjithësi, ishte një miqësore e vlefshme për Shkëndijën, ku trajneri Beqiri provoi të gjithë futbollistët dhe mori sinjale të rëndësishme në kërkim të formës optimale për vazhdimin e kampionatit, Kupës dhe paraqitjen historike në play-off-in e UEFA Conference League.
SHKËNDIJA-OLEKSANDRIYA1:1 (1:0)
Terreni në Gloria Sport Arena në Belek në Antalia
Golashënues: Zejnullai 31’ (Shkëndija), ndërsa Jonnatan 49’ (Oleksandriya)
SHKËNDIJA: Amzai, Murati, Fetai, Meliqi, Ajeti, Islami, Zejnullai (c), Krasniqi, Tamba, Spahiu, Ndzengue.
Luajtën edhe: Gaye, Latifi, Jakupi, Alhassan, Ibraimi, Mazari, Trumçi, Ceka dhe Isa.
Trajner: Jeton Beqiri

