
Pas zyrtarizimit si shef i ri i stafit teknik të kuqezinjve, Artim Pollozhani ka dhënë prononcimin e tij të parë për Shkëndija Channel. Trajneri i ri foli për emocionet e rikthimit në shtëpi, pritshmëritë e mëdha të klubit, koordinimin për përforcimet e reja dhe stilin e lojës sulmuese që do të aplikojë nën drejtimin e tij.
…rikthimi në Shkëndijë si trajner…
Artim Pollozhani: “Patjetër që është një kënaqësi e jashtëzakonshme e madhe, patjetër që është një satisfaksion i madh, sepse Shkëndija është klubi më i madh në Maqedoni. Ndjej një ndjenjë jashtëzakonisht të mirë e pozitive, pasi që kthehem në shtëpinë time. Paralelisht me këtë është edhe përgjegjësia, sepse Shkëndija gjithmonë kërkon rezultate, kërkon gjithmonë e më lart. Duke pasur parasysh që vitin e kaluar është shkruar historia, sigurisht që pritshmëritë janë mjaft të mëdha, por ne nuk i ikim përgjegjësisë. Patjetër që duam të përsërisim sukseset, sepse unë mendoj që Shkëndijës i takojnë kupat e Evropës dhe patjetër titulli kampion.”
…kontingjenti i lojtarëve dhe planet për merkaton…
Artim Pollozhani: “Unë mendoj që Shkëndija ka potencialin. Ka pasur potencial edhe vitin e kaluar, por fatkeqësisht nuk arriti ato objektivat e tyre që është madhorja dhe primarja e klubit. E kam ndjekur mirë çdo ndeshje të Shkëndijës, sepse këto muajt e fundit kam qenë i lirë. Ka një potencial jashtëzakonisht të mirë. Sigurisht që me drejtuesit do të jemi në koordinim jashtëzakonisht korrekt që të shohim për përforcime që me të vërtetë do ta forcojnë ekipin, por patjetër do të shohim edhe situatën e lojtarëve aktualë për të krijuar një frymë grupi, që të jemi gati fillimisht në kupat e Evropës e pastaj duke vazhduar me kampionatin.”
…futbollist te Shkëndija, tani trajner…
Artim Pollozhani: “Dëshira është një vlerë, sepse tani ndryshojnë situatat, nuk jam më futbollist. Kur je futbollist mendon vetëm për lojën tënde, tani mendon për të gjithë grupin. Koha edhe premton, edhe është e shkurtër pasi udhëtojmë drejt Sllovenisë, por unë mendoj që nëse dihet thelbi ose ADN-ja e Shkëndijës, atëherë e ke më të lehtë. E thelbi i Shkëndijës është një lojë sulmuese, me shumë gola, një Shkëndijë me një gol plus. Përgjegjësia është e madhe, por unë dua t’i falënderoj drejtuesit e klubit për besimin në këtë projekt serioz.”
…stafi teknik…
Artim Pollozhani: “Patjetër, unë mendoj që grupi i stafit është në rregull. Nuk diskutohet që do të kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt, sepse futbolli vetëm bashkon njerëz. Me një punë dhe përkushtim maksimal nuk do të kemi probleme. Është një staf i ri, ambicioz, që do të punojë dhe unë besoj e shpresoj që do të japim maksimumin në çdo ditë pune, stërvitje apo ndeshje. Një kohezion i tillë duhet patjetër ndërmjet stafit, kryesisë së klubit dhe aktorëve kryesorë, që janë lojtarët.”
… stili i lojës nën drejtimin e tij…
Artim Pollozhani: “Te ekipi i fundit ku kam qenë trajner, unë kam aplikuar një futboll sulmues, kështu që nuk ka arsye pse Shkëndija mos të luajë një futboll të tillë. Unë i kam përjetuar dhe i njoh mirë tifozët tanë, ‘Ballistët’, të cilët gjej rastin t’i përshëndes, si dhe të gjithë mbështetësit tanë, sepse Shkëndija nuk ka tifozë vetëm në Tetovë, por në të gjithë Maqedoninë dhe më gjerë. Ata meritojnë spektakël. Unë e di që te Shkëndija, nëse nuk bën një lojë sulmuese dhe të bukur, edhe sikur të fitosh do të jesh i kritikuar gjithmonë, kështu që nuk ka arsye që mos të aplikojmë një lojë ofenzive dhe me gola.”

