
Pas ceremonisë emocionuese mbrëmë para ndeshjes së kthimit të raundit të parë kualifikues të UEFA Conference League ndaj Europa FC nga Gjibraltari, ku KF Shkëndija nderoi ish-kapitenin Armend Alimi për mbylljen e karrierës së tij si futbollist, mesfushori legjendar kuqezi nuk i fshehu emocionet e mëdha. Në prononcimin e tij për kanalet e Shkëndijës, Alimi u shpreh tejet i prekur nga respekti i treguar nga klubi, drejtuesit dhe tifozët tetovarë.
“Të them të drejtën, tani jam ende në një paqartësi dhe duket sikur me këtë pensionimin ende nuk ambientohem dot. Ky respekt tani më erdhi si një gjë shumë e mirë nga klubi, nga kryesia, nga tifozët dhe nga të gjithë ata që më kanë ndihmuar në ato shtatë vite e gjysmë apo tetë në Tetove. Janë vite të paharruara për mua dhe karrierën time. Shpresoj që edhe unë t’ju kem dalë haku me performancat e mia në fushën e blertë. Jam gjithmonë mirënjohës dhe krenar për atë që kam bërë, dhe i falënderoj edhe njëherë nga zemra,” tha Armend Alimi, duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij të gjatë me fanellën e Shkëndijës.
Edhe pse tashmë do të jetë jashtë fushës së blertë si futbollist aktiv, Alimi thekson se lidhja e tij me ngjyrat kuqezi nuk do të zbehet kurrë. I pyetur nëse thënia e njohur “një herë kuqezi, gjithmonë kuqezi”vlen plotësisht për të, ai u përgjigj:
“Unë e kam thënë çdo herë se Shkëndija është shtëpia ime e dytë dhe ashtu do të ngelet gjithë jetën. Çdo herë që kthehem këtu është… si në shtëpi. Është një ndjenjë që nuk përshkruhet dhe shpresoj që do të jetë çdo herë vetëm për të mirë.”
Si një nga shtyllat e rritjes dhe sukseseve historike të klubit në dekadën e fundit, ish-kapiteni bëri edhe një retrospektivë të rrugës që ka kaluar Shkëndija, duke dhënë një mesazh të fortë për të ardhmen e projektit kuqezi.
“Te Shkëndija, kur kam ardhur në vitet e para, kemi nisur pothuajse nga pika zero. Ndërtimi i skuadrës me sponsorin aktual ka bërë që vitet e fundit të korrim frytet e asaj pune të madhe që është bërë me vite. Shpresoj që klubi të rritet ende dhe të dëshmojë se është një forcë e madhe e shqiptarëve në këtë vend”, përfundoi Alimi.

