
Mesfushori defanziv ishte titullar dhe luajti deri në kohën shtesë, derisa minuta mori edhe Latifi në fund të ndeshjes.
Derbi i xhiros së pestë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës solli barazim 1:1. Kanda (45’) dhe Cake (60’) shënuan golat për ndarje të pikëve në Çair. Takimi në Shkupi solli edhe minutat e para në një ndeshje zyrtare për dy futbollistë kuqezi.
Adamu Ibrahim Alhassan pasi më në fund kompletoi dokumentacionin (probleme juridike shkaku i një dokumenti të dhënë në shtetin e tij, Nigeri), ishte titullar në derbi dhe la përshtypje shumë të mirë gjatë gjithë lojës, për tu zëvendësuar në minutën e 3-të të kohës shtesë (93’).
Ndërkohë debutoi edhe përforcimi i fundir, Liridon Latifi, i cili hyri në lojë në minutën e 80-të. Sulmuesi anësorë për pak nuk shënoi kur u gjet i befasuar nga një top i kthyer te ai, pas shtyllës së Florent Ramadanit. Latifi ka nevojë edhe për pak kohë për të arritur gjendjen optimale fizike dhe stafi teknik është duke punuar intensivisht në këtë drejtim.
Ndryshe kuqezinjtë nuk kanë kohë për pushim, pasi të mërkurën në Manastir ndeshemi me Jeni Maale në start të edicionit të ri të Kupës së vendit.

